Shkruan: Ilir Lyta
Nisja për këtë marshutë është bërë të dielen më 09.09.2012 nga Hotel Pashtriku – Gjakovë dhe nga Lagjja Mulla Jusuf në ora 7.00, ndërsa kthimi në ora 19.00.
Pjesëmarrës ishim gjithsej 35 veta, ndër të cilët ishte edhe Beni i cili kishte ardhur së bashku me nipin e tij.
Udhëtuam me tre furgona të stërngarkuar, për shkakun se numri i pjesëmarrësve ishte tejkaluar, pasi që kishin ardhur disa të rinjë të paparalajmëruar. Udhëtuam kah fshati Ponoshec dhe Botushë, për tek plepat e Koshares të lmd prej 1040 metra. Nga aty në ora 8.00 e filluam marshimin për në majen e Ujëzes. Gjatë rrugëtimit kaluam nëpër zonën kufitare të Padeshit me çrast vizituam edhe gërmadhat e mbetura të ish karaullave të RSFJ-së.
Marshimi apo shetitja nëpër atë kohë me diell dhe freski të mëngjesit ishte një kënaqësi e vërtetë. Ashtu duke soditur atë natyrë të bukur dhe duke zhvilluar biseda nga më të ndryshmet në ora 11.30 minuta arritëm në Majën e Ujëzes të lmd prej 1822 metrash. Pak para mbërritjes në majë disa nga shokët vazhduan shtegun në të djathtë për tek Gurra e Zezë apo siç njihet edhe si Gurra e Padeshit, me qëllim të relaksimit më të mirë afër rrjedhës së ujit. Maja e Ujëzes në atë kohë me diell dhe shumë të kthjellët me të të vërtetë kishte një pamje fascinante. Këtë majë apo rrafshlartë nga bjeshka e Shkelzenit e ndante vetëm lugina e Tropojës, gjegjësisht lumi i Sulbicës, prandaj dhe gjendej shumë afër dhe përballë Bjeshkës së Shkelzenit. Poashtu shumë afër nga aty gjendeshin edhe bjeshkët e Gjeravicës, si e vogla ashtu edhe e madhja. Nga ajo lartësi qartë shihej edhe Rrafshi i Dukagjinit me vendbanimet e tija.