Takimet e njëmbëdhjeta tradicionale ndërkombëtare të bjeshkatarëve dhe alpinistëve
“SHARRI 2011”, 11-12 qershor 2011
Fjala përshëndetëse e Kryetarit të Federatës
Bjeshkatarë të dashur,
në fund të muajit maj dhe fillim të qershorit u shënuan dy ditë me karakter botëror, që në një mënyrë ose tjetër lidhen me bjeshkatarinë. Me 31 maj ishte Dita botërore pa duhan, e ne e dimë fare mirë mendimin dominues të bjeshkatarëve për pirjen e duhanit. Ndërsa me 5 qershor ishte Dita botërore e mjedisit që për vitin 2011 kishte temën “Natyra-Pyjet në shërbimin tuaj”.
Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës nëpërmes një njoftimi në webfaqen e saj u bëri thirrje të gjitha shoqërive anëtare që ta shënojnë këtë ditë dhe të demonstrojnë ngritjen e vetëdijes për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit bjeshkatar. Por shoqëria bjeshkatare “Sharri” i kishte përvjelë mëngët shumë me herët. Qysh në fillim të muajit prill ajo kishte marr pjesë në mbjelljen e 1500 fidanëve në mes të fshatrave Lubizhdë dhe Skorobisht.
Takimet e njëmbëdhjeta me radhë “Sharri 2011” përveç që mbahen në frymën e njohjes së bjeshkatarëve mes veti, shkëmbimit të përvojave tona nëpër ekspedita të ndryshme, kanë edhe karakterin edukues të ndërgjegjësimit dhe ruajtjes së ambientit që na rrethon. Kjo e fundit është njëra ndër shtyllat e bjeshkatarisë kosovare.
Përveç ndërgjegjësimit mbi mjedisin bjeshkatar, shoqëria “Sharri” është lidere në fushën e turizmit malor. Ajo përmes menaxhimit të drejtë të shtëpisë malore dhe rinovimit të saj ka krijuar kushte shumë të mira jo vetëm për akomodimin tonë por edhe për turistë potencial që vijnë nga vendet tjera. Organizimi i marshimeve dhe mundësia e akomodimit në shtëpinë malore është forma më e mirë dhe e drejtpërdrejtë e prezantimit të bukurive të vendit tonë dhe mënyra më e mirë ngritjes së qëndrueshme të imazhit të Republikës sonë të re.
Ju dëshiroi që gjatë shoqërimit tuaj dyditorë të kënaqeni me këto bukuri të Sharrit dhe së bashku me bjeshkatarët mysafir dhe vendor të ruani kujtimet më të bukura nga kjo pjesë e vendi tonë.
Sukses në pushtimin e majës së Korfit!
Arben Lila
Kryetar i Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës
Prishtinë, 11 qershor 2011